Parashikimi i Bumçit: Fundi i pranverës e gjen këtë vend pa Edi Ramën

Fundi i pranverës e gjen vendin pa Edi Ramën. Ky është parashikimi i deputetit demokrat, Aldo Bumçi, i cili tashmë është dorëhequr nga funksionet e tij në Kuvend.

“Bashkë me shqiptarët ne do të rrëzojmë Edi Ramën, sepse nuk ka njeri që mund t’i qëndrojë një populli të tërë. Nuk ka kryeministër që mund t’i qëndrojë një populli të tërë. Si do largohet? Do largohet si Gruevski, do largohet si Presidenti i Armenisë, që u rrëzua në maj të vitit 2018 nga tri javë protesta që paralizuan Armeninë. Apo do të ketë një mënyrë tjetër shqiptare, nuk e di”, tha Bumçi në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”.

I pyetur se për sa kohë mendon se mund të rrëzohej Rama, Bumçi tha: “Unë nuk jam fallxhor, por unë mendoj se maksimumi, maksimumi fundi i pranverës e gjen këtë vend pa Edi Ramën. Pranvera do vijë ndryshe për shqiptarët, pa Edi Ramën, ky njeri nuk mund të mbajë më peng shqiptarët. Ky njeri nuk do organizojë zgjedhje në Shqipëri.”

Ndërsa Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi me ironi falenderoi demokratët që ia kanë shtyrë afatin qeverisë: “Faleminderit një herë se na e kishin vënë afatin më 16 Shkurt, na e shtynë deri në fund të pranverës. Deri atëherë do të punojmë siç kemi punuar dhe të vazhdojmë të qeverisim Shqipërinë siç u kemi premtuar shqiptarëve. Ajo që keni kuptuar është se nuk fitoni dot kurrë dhe është një dorëzim pa kushte i PD, për mua fatkeq. Ne do të vazhdojmë të përfaqësojmë popullin, ju do të vazhdoni të përfaqësoni rrëmujën. Ky është thelbi, nuk fitoni dot dhe kërkoni formula të tjera.”

 

Shpërndaje këtë artikull:

Komento dhe bëhu pjesë e diskutimit

Powered by themekiller.com