Nga luks në nevojë: Historia e sapunit

Rrallë gjen produkte kaq të përhapura e të dobishme sa sapuni.

Që nga foshnjëria deri në pleqëri, sapuni është pjesë e jetës sonë të përditshme. Që nga kohët e lashta, kur u prodhua për herë të parë, sapuni është transformuar gradualisht nga një send luksi, në një send të domosdoshëm që e përdorim çdo ditë.

Një kimist i shekullit të 19-të, tha se, sasia e sapunit që konsumohej nga një shtet, ishte një tregues i saktë i pasurisë dhe i civilizimit të tij. Sot, sapuni konsiderohet i domosdoshëm për një higjienë dhe shëndet të mirë. Si u bë ky produkt i rëndësishëm, një send i jetës së përditshme?

Kohët e lashta

Nuk ka thuajse asnjë dëshmi që të tregojë se sapuni përdorej për higjienë personale edhe përpara erës sonë. Është e vërtetë se përkthimi King James te Jeremia 2:22thotë: «Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun.» Por, ka arsye që të bëjnë të dyshosh se këtu flitet për sapunin që njohim ne, qoftë në formë kallëpesh, qoftë në formë pluhuri ose në ndonjë formë tjetër. Sipas një përkthimi të ditëve tona, në fjalët e profetit thuhet: «Edhe sikur të laheshe . . . me shumë finjë», një pastrues alkalin, krejt i ndryshëm nga sapuni që përdoret sot.

Zakonisht grekët, dhe më vonë romakët, përdornin vajra të parfumuara për të pastruar trupin. Ka mundësi që mjeshtërinë e bërjes së sapunit, ta kenë mësuar nga keltët. Në veprën e tij Historia e natyrës, shkrimtari romak i shekullit të parë, Plini Plaku, përdor fjalën gale saipo, nga e cila thuhet se rrodhi fjala «sapun».

Në shekujt pasues, kishte pak dëshmi që tregonin për përdorimin e sapunit, edhe pse gjatë periudhës së Mesjetës, Italia, Spanja dhe Franca ishin bërë qendra të prodhimit të tij. Pavarësisht nga përpjekjet që sapuni të prodhohej për konsumin e gjerë, me sa duket, ai përdorej fare pak në Evropë. Kështu, në vitin 1672, kur një simpatizant gjerman i dërgoi një aristokrateje si dhuratë një pako me sapunë nga Italia, e pa të udhës që t’i përshkruante me hollësi si ta përdorte atë produkt misterioz.

Prodhimi i hershëm i sapunit

Një nga recetat që tregonte me hollësi se si prodhohej sapuni, u prezantua në koleksionin e sekreteve për artizanët, që doli në shekullin e 12-të. Edhe pse kanë kaluar vite, procesi kimik për prodhimin e sapunit, në thelb ka mbetur i njëjtë. Vajra dhe yndyrna nga burime të ndryshme valoheshin me një tretësirë alkaline kaustike, në një proces që nxjerr sapun të parafinuar. Ky reaksion quhet sapunëzim.

Kuptohet që cilësia e sapunit varej nga materialet që përdoreshin. Në fillim, për prodhimin e sapunit, përdoreshin dhjami i kafshëve dhe hiri që mbetej nga djegia e drurit. Me po këta elementë, të shpërngulurit e parë në Shtetet e Bashkuara, prodhonin sapun të butë ngjyrë kafe, në trajtë xhelatine që përdorej përditë. Asokohe, dhjami i shkrirë që merrej nga gjedhët e dhentë, ishte përbërësi kryesor për prodhimin e sapunit dhe të qirinjve. Kështu, shpesh, tregtarët i prodhonin dhe i shitnin bashkë. Në fund të procesit të zierjes së sapunit, shtohej kripë që të dilnin kallëpe të forta, të cilat transportoheshin lehtë. Pastaj, që të vinin erë e mirë, u hidhej lavandë ose karabot.

Zakonisht, sapunët që prodhoheshin në Evropën Jugore bëheshin me vaj ulliri. Ndërsa, në vendet me klimë të ftohtë, prodhuesit e sapunit vazhduan të përdornin dhjamin. Disa, madje, përdornin vajin e peshkut. Ndonëse ishin të përshtatshëm për të larë rrobat, sapunët nuk parapëlqeheshin për të larë trupin. Megjithatë, dhjami dhe vaji janë vetëm një pjesë e përbërësve që përdoren për të prodhuar sapunin.

Nga prodhimi me dorë, në industri

Për shekuj me radhë, alkalet që nevojiten për prodhimin e sapunit, nxirreshin nga hiri i disa bimëve të veçanta, duke përfshirë edhe leshterikët. Në Spanjë, cimleja digjej, dhe lëshonte një hi alkalin që quhej barilja. Duke e kombinuar me vajin e ullirit të asaj zone, dilte një sapun i bardhë me cilësi të lartë, që quhej sapuni i Kastiljes.

Gjatë shekullit të 18-të, u shtuan kërkesat ndërkombëtare për potasën që përdorej në prodhimin e sapunit, xhamit dhe barutit.* Rreth vitit 1790, Nikola Lëblani, kirurg dhe kimist francez, shpiku një proces për prodhimin e alkalit nga kripa e zakonshme. Më vonë, kimistët ia dolën mbanë të prodhonin sodë kaustike nga shëllira. Kjo hapi rrugën për industrializimin e prodhimit të sapunit.

Sapuni i bën emër vetes

Fundi i shekullit të 19-të ishte një periudhë me reforma të rëndësishme, që u karakterizuan nga përpjekje për t’i mësuar njerëzit lidhur me shëndetin dhe higjienën. Megjithatë, për shumicën, sapuni i asaj kohe ishte një përzierje e kaftë e papëlqyeshme, që akoma bëhej me mbetje të alkaleve të papërpunuara, të cilat acaronin lëkurën. Vazhdonte të prodhohej me dorë, thjesht duke e zier nëpër kazanë. U shitej klientëve në kallëpe pa emrin e prodhuesit. Shitësi e priste për së gjati dhe e shiste me peshë.

Disa sapunë bënin shumë shkumë, por lëshonin edhe pika vaji që t’i bënte gishtat me yndyrë dhe, me kalimin e kohës, vinin erë të keqe. Prodhuesit, duke i kuptuar gjithnjë e më mirë kërkesat e njerëzve, nisën të përdornin lëndë shtesë, si bar limoni, që të mbytnin erën e rëndë me aromën e mirë të limonit.

Shpejt, u bënë përmirësime të tjera. Sapunët me vaj vegjetal që ishin më të pëlqyeshëm, u bënë shumë të kërkuar. Ndryshimet e mëdha në transport, ua lehtësuan punën prodhuesve të sapunit për të siguruar burime të pasura me përbërës të cilësisë së lartë. Në Afrikën Perëndimore rritej palma e vajit. Nga fryti i saj i tultë nxirrej një substancë si gjalpë, me ngjyrë të ndezur, e cila u bë një nga përbërësit bazë në prodhimin e sapunëve dhe artikujve kozmetikë. Në ishujt e Paqësorit rritej arra e kokosit, nga tuli i tharë i së cilës nxirret vaj. Me këta përbërës ekzotikë që vinin nga vendet e largëta, pak nga pak, njerëzit ndryshuan mendim për sapunin.

Prodhuesit kuptuan dëshirën e natyrshme që ka njeriu për pastërtinë. Konsumatorët duheshin bindur se sapuni ishte i domosdoshëm. Shpejt, për të reklamuar markat e sapunit, reklamuesit nisën t’i krahasonin veçoritë e produkteve me vetitë e mjaltit, me rrezen e diellit dhe bardhësinë e dëborës. Të tjerë ripunuan vepra të famshme arti dhe i dhanë reklamave të tyre—dhe sapunit—një imazh klas dhe të kulturuar. Nga fundi i shekullit, sapuni shitej në çdo vend të botës. Ai nxiti edhe industrinë e reklamave. Në vitin 1894, slogane që nxitnin shitjen e sapunit, u shfaqën madje edhe në pjesën e pasme të pullave të postës në Zelandën e Re. Tashmë sapuni i kishte bërë emër vetes.

Prodhimi modern

Prodhimi i hershëm industrial përfshinte zierjen e përbërësve në kazanë të stërmëdhenj e të hapur. Një punëtor i zoti kontrollonte procesin duke trazuar me mistri. Nga mënyra se si rrëshqiste sapuni nga mistria e nxehtë, punëtori mund të vendoste nëse përbërësit ose procesi duheshin përmirësuar.

Sot, procesi i prodhimit të sapunit kalon në tri faza kryesore. Faza e parë është sapunëzimi, gjatë së cilës zhvillohet reaksioni kimik i disa vajrave ose yndyrnave me kripëra alkale. Nga ky kombinim prodhohet brumi i sapunit dhe glicerina, që gjenden në një përzierje e cila përmban rreth 30 për qind ujë. Nganjëherë, kjo fazë ende bëhet me metodën e zierjes në kazanë, por sot, shumica e prodhuesve të sapunit përdorin sisteme të kompjuterizuara për sapunëzimin. Faza e dytë është tharja. Kjo bëhet me anë të tharjes me të nxehtë, tharjes në boshllëk dhe tharjes me sprucim. Si rezultat, brumi i sapunit shndërrohet në toptha, që përmbajnë vetëm rreth 12 për qind ujë. Faza e tretë dhe e fundit quhet përpunimi përfundimtar. Topthat përzihen me aromatizues, ngjyrues dhe përbërës të tjerë që e bëjnë sapunin të veçantë dhe aromatik. Me anë të një prese, kallëpet presohen dhe stampohen në formën e tyre karakteristike. Sot, konsumatorët i duan sapunët me më shumë aroma frutash dhe ekstrakte bimore, në mënyrë që sapuni të jetë sa më «natyral» dhe të të lërë një ndjesi më gjallëruese.

Edhe pse janë bërë përparime të dukshme për të kuptuar ndërtimin kimik të produkteve pastruese dhe prodhimi i tyre ka ndryshuar shumë, sapuni tradicional vazhdon të ketë popullaritet. Vështirë që ndonjëri të thotë se sapuni nuk është i domosdoshëm për një higjienë dhe shëndet të mirë. Gjithsesi, duket e çuditshme që sot, në një periudhë ku mbizotëron papastërtia morale dhe shpirtërore, pastërtia fizike arrihet më lehtë se kurrë. Megjithatë, pastërtia e jashtme është më e vlefshme atëherë kur pasqyron pastërtinë e njeriut të brendshëm.

Shpërndaje këtë artikull:

Komento dhe bëhu pjesë e diskutimit

Powered by themekiller.com