Kritika për humbjen në derbi: S’ka justifikim, Donnarumma gaboi rëndë

Milani humbi derbin e qytetit me Interin me rezultatin minimal 1-0, por ajo që “djeg” më shumë është fakti që goli vendimtar u shënua nga Mauro Icardi në minutën e 92-të, kur kishin mbetur pak më shumë se 60 sekonda për t’u luajtur.

Mbrojtja kuqezi u përgjum dhe lejoi Vecinon të krosojë në zonë, ndërsa portieri Donnarumma përfundoi në qendër të kritikave, pasi kishte humbur pozicionin dhe la portën e boshatisur, në momentin që Icardi gjuajti me kokë.

Edhe ish-mesfushori i Milanit, Demetrio Albertini, nuk i kurseu kritikat për portierin e ri italian, teksa foli në një emision televiziv, ku u mundua të shpjegojë shkaqet që çuan kuqezinjtë te humbja në derbi.

“Është e kotë të justifikohemi, Donnarumma gaboi rëndë, pasi kishte humbur pozicionin dhe nuk arriti të rikthehet në vendin e tij. Gjithsesi gaboi edhe mbrojtësi që markonte Icardin, pasi u tregua shumë i butë me të. Megjithatë unë mendoj se Milani nuk arriti të luajë dhe çoi shumë pak topa drejt Higuainit, që mbeti i izoluar në gjysmëfushën e Interit dhe e pati të vështirë të hyjë në lojë”, deklaroi Albertini.

Shpërndaje këtë artikull:

Komento dhe bëhu pjesë e diskutimit

Powered by themekiller.com